Katër vjet pas dorëheqjes nga posti i drejtorit ekzekutiv të Amazon, themeluesi miliarder Jeff Bezos është rikthyer si bashkë-CEO i një startup-i të ri në fushën e Inteligjencës Artificiale.
Sipas New York Times, që citon burime anonime, Bezos do të drejtojë së bashku me Vik Bajaj kompaninë e re të quajtur Project Prometheus. Startup-i është fokusuar në zhvillimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale për inxhinieri dhe prodhim në sektorë të ndryshëm.
Projekti ka siguruar tashmë 6.2 miliardë dollarë financim, një shumë që tejkalon fondet që shumë kompani arrijnë të mbledhin gjatë gjithë jetës së tyre.
Partneri i Bezos, Vik Bajaj, është një fizikant dhe kimist i njohur, i cili më parë ka themeluar startup-in shëndetësor Verily në kuadër të laboratorit të inovacionit të Google, të njohur si X.
Detaje të tjera rreth projektit mbeten të kufizuara. Nuk është bërë e ditur ende se ku do të jetë e bazuar kompania apo si do të funksionojë konkretisht teknologjia që po zhvillon.