Jerome Boateng stërvitet në Ciutat Esportiva të Barcelonës pas largimit nga LASK

Barcelona prej vitesh ka lejuar që disa ish-lojtarë të stërviten në qendrat e saj, shpesh për shkak të lidhjeve të mëparshme me klubin. Lojtarë si Sergi Roberto dhe Dani Alves kanë përdorur Ciutat Esportiva për të ruajtur formën ndërsa kërkonin ekip të ri.

Sipas Sport, ish-mbrojtësi i Bayern Munich, Jerome Boateng, ka qenë në qendrën stërvitore të Barcelonës të enjten dhe pritet të vazhdojë stërvitjet edhe në ditët në vijim. 37-vjeçari është aktualisht pa kontratë, pas largimit nga LASK Linz verën e kaluar. Ai është takuar gjithashtu me trajnerin Hansi Flick.

Boateng dhe Flick kanë punuar së bashku më parë te Bayern, ku Flick ka qenë fillimisht ndihmës-trajner e më pas trajner i parë. Së fundmi, Boateng ishte i angazhuar në një praktikë trajneri te Bayern, në objektet e Sabener Strasse, por klubi e ndërpreu atë pas protestave të tifozëve.

Tifozët e Bayern shfaqën parulla si: ‘Vijë e kuqe ndaj dhunës mizogjiniste’, ‘Nuk ka vend për njerëz me të shkuar kriminale në klubin tonë, jo më hapësirë për Boateng’ dhe ‘Ata që i japin hapësirë një agresori ndajnë fajin’, duke bërë të qartë se ai nuk ishte i mirëpritur.

Në vitin 2021, Boateng u dënua për sulm ndaj ish-partneres së tij, Sherin Senler. Fillimisht ai u gjobit me 1.8 milionë euro, por në vitin 2022 gjoba u reduktua në 100 mijë euro.

Burimi: Sport / Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *