Ish-ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer, në një intervistë të gjatë për gazetën “Süddeutsche Zeitung”, ka mbrojtur vendimin e tij për të mbështetur ndërhyrjen ushtarake të fundit të viteve 1990 për çlirimin e Kosovës nga Beogradi.
Fischer shpjegoi se qëndrimi i tij ndërhyrës rrjedh nga një bindje themelore: “solidaritet me viktimat e agresionit”. Ai tha se nuk beson te reagimi pasiv: “Unë nuk jam njeri që ka jetuar apo predikuar sipas porosisë që nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e majtë, t’i duhet t’ia kthesh të djathtën”.
Ai nënvizoi nevojën për të mbështetur ata që luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe dha një shembull historik: “Si u mund Hitleri? Jo me njerëz që heshtin dhe rrinë këmbëkryq. Ai u rrëzua me luftë”.
Për rolin e tij brenda Partisë së Gjelbër, Fischer tha se kishte humbur shumë votime brenda radhëve të veta, por se votimin vendimtar për ndërhyrjen në Kosovë e kishte fituar: “Vetëm votimin e fundit vendimtar për ndërhyrjen në Kosovë – atë e fitova”.
Duke folur për etikën ushtarake të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, Fischer u shpreh se populli gjerman nuk i mungon vetëmbrojtja, por se ai është bërë “pacifist strukturor” nën mbrojtjen amerikane pas 1945. Për këtë ai tha se Europa duhet të ofrojë përgjigjen: jo vetëm Bashkimi Europian si i vetmi kornizë, por një bashkëpunim më i gjerë që përfshin edhe Britaninë e Madhe dhe Norvegjinë.
Për NATO-n Fischer tha: “Ne e kemi NATO-n – ende! Pyetja është: edhe për sa kohë? Por unë nuk do të këshilloja që të mbështetemi vetëm tek ajo”.
Ai theksoi pozicionin e Gjermanisë në Europë: ajo është “shumë e madhe për Europën, shumë e vogël për botën” dhe një kapacitet mbrojtës europian mund të ndërtohet vetëm së bashku me Francën. Fischer u shpreh qartë kundër nacionalizmit, duke paralajmëruar se një Europë nacionaliste do të nënkuptonte humbje të rolit global dhe rënie ekonomike.
Burimi: Telegrafi