Juliana Pasha fituese e ‘Këngës Magjike’ në edicionin jubilar të 25-të

Finalja e edicionit jubilar të 25-të të “Këngës Magjike” u zhvillua si një natë emocionesh të forta, nostalgjie dhe performancash të jashtëzakonshme.

Gara ishte e ashpër deri në minutën e fundit, me emra të mëdhenj të muzikës shqiptare që konkurruan për trofeun. Ashtu si çdo vit, votat e kolegëve artistë ishin vendimtare për përcaktimin e fituesit.

Këngëtarja Juliana Pasha u shpall fituese e këtij edicioni me këngën “Ajër”, një interpretim që fitoi zemrat e kolegëve dhe të publikut. “Lot gëzimi për fitoren, lot gëzimi që isha në këtë 25-vjetor, lot gëzimi sepse doli një spektakël i shkëlqyer”, u shpreh ajo pas shpalljes së rezultatit.

Vendin e dytë e zuri Albina Kelmendi, e njohur për interpretimin e saj që mori duartrokitje të zjarrta nga publiku. Vendi i tretë i shkoi Mira Konçit, e cila dha një performancë të fuqishme dhe artistikisht të rafinuar, duke treguar potencialin dhe stilin e saj të veçantë muzikor.

Edicioni i 25-të i “Këngës Magjike” u vlerësua gjerësisht dhe solli netë që do të mbahen mend nga artistët dhe publiku.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *