Juventusi rikthen interesimin për Granit Xhakën

Juventusi po shqyrton mundësinë e rikthimit të interesit për mesfushorin Granit Xhaka gjatë merkatos së janarit, vetëm gjashtë muaj pas kalimit të tij në Premier League me Sunderlandin.

Sipas gazetës italiane Tuttosport, skuadra torineze synon të përforcojë repartin e mesfushës, i cili aktualisht varet kryesisht nga Khephren Thuram dhe Manuel Locatelli. Xhaka ishte një prej objektivave të Juventusit edhe gjatë verës, kur ishte i disponueshëm për një shumë prej rreth 15 milionë eurosh.

Megjithatë, mosha e mesfushorit zviceran, i cili mbushi 33 vjeç në shtator, kishte ngjallur dyshime në ambientin bardhezi. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e Juventusit tani janë të vendosur të gjejnë alternativa të reja në mesfushë dhe besojnë se Xhaka ofron raportin më të mirë mes cilësisë dhe kostos.

Tuttosport shkruan se rikthimi i mundshëm i interesimit për Xhakën do të ketë një çmim më të lartë se 15 milionë euro plus bonuset që Sunderland i pagoi Bayer Leverkusenit në verë, nëse bisedimet konkretizohen në janar.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *