Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, është gjobitur para disa javësh me rreth 450 mijë euro nga autoritetet gjermane, pasi në një paketë të porositur online u zbuluan sende të ndaluara sipas ligjit për armët.
Rasti tërhoqi vëmendje të madhe në mediat gjermane dhe ato ndërkombëtare, duke e vendosur futbollistin 21-vjeçar në qendër të kritikave. Pas disa javësh heshtjeje, Adeyemi ka reaguar publikisht për herë të parë përmes një deklarate në rrjetin social Instagram.
Në reagimin e tij, lojtari i kombëtares gjermane shprehet se paketa me përmbajtje të ndaluar ishte një “Mystery Box” që e kishte porositur në fillim të vitit 2024, pa e ditur se çfarë ndodhej brenda. Sipas tij, paketa përfundoi në polici, ku edhe u zbulua përmbajtja e saj.
“Ka qenë një gabim i madh, një pakujdesi për të cilën jam thellësisht i penduar. Ky veprim më ka kushtuar shumë dhe e kuptoj që si person publik mbaj përgjegjësi shtesë”, shkruan Adeyemi.
Ai shton se rasti ka shërbyer si një mësim i rëndësishëm dhe premton se nuk do të përsërisë gabime të tilla në të ardhmen.
“Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur dhe më kanë besuar, pavarësisht kësaj”, përfundon deklaratën e tij futbollisti gjerman.