Katy Perry përmbylli me sukses pjesën evropiane të turneut ‘The Lifetimes Tour’ me një koncert në Madrid, ku u pa duke i bërë tatuazh një anëtari të ekipit prapa skenave. Këngëtarja 41-vjeçare përfundoi 24 koncerte në Evropë dhe përgatitet për pjesën aziatike të turneut, i cili përfundon në Abu Dhabi më 7 dhjetor. Në Instagram, ajo ndau momente nga mbrëmja finale, duke shkëlqyer me një fustan të shkurtër argjendi të mbuluar me gurë të ndritshëm, shkruan ‘Daily Mail’. Mes fotografive, Katy u pa duke vizatuar një ‘K’ të vogël në kyçin e dorës së artistit të tatuazheve, Berni Coronado Morales. Ajo publikoi gjithashtu një video në TikTok, duke bërë shaka se po fillonte një ‘punë të dytë’ si artiste tatuazhesh.
Ky gjest i tatoo-ve simbolike erdhi pasi Katy dhe ekipi i saj bënë tatuazhe të njëjta për të shënuar fundin e turneut evropian. Gjatë javës së kaluar, ajo zbuloi tatuazh të ri në formën e gjysmës së një fluture në kyçin e dorës, që përkon me tatuazhin e një kolegeje nga ekipi. Fansat spekuluan se personi tjetër ishte partneri i saj, por Katy sqaroi se tatuazhet ishin për ekipin e saj.
Ndërkohë, këngëtarja ka publikuar videoklipin e ri ‘Bandaids’, që nënkupton ndarjen nga Orlando Bloom, me të cilin ka një vajzë pesëvjeçare, Daisy Dove. Ajo pranoi se publikimi i këngës ishte i vështirë për shkak të ngarkesës emocionale, por shpreson që mesazhi i saj të ndihmojë ata që po kalojnë të njëjtën situatë të gjejnë forcën për të vazhduar përpara.