Keith Kellogg pritet të largohet nga administrata Trump në janar

I dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Ukrainën, Keith Kellogg, u ka bërë të ditur bashkëpunëtorëve të tij se planifikon të largohet nga administrata në janar. Lajmi është konfirmuar nga katër burime për agjencinë Reuters.

Largimi i tij do të përfaqësonte një humbje të një figure të rëndësishme për politikën amerikane ndaj Ukrainës. Mediat vlerësojnë se ky zhvillim nuk do të pritet mirë në Kiev.

Gjenerali në pension, Kellogg, shihej nga diplomatët evropianë dhe ukrainas si një përfaqësues i hapur dhe i balancuar në një administratë që në disa raste është perceptuar si pro qëndrimeve të Moskës për origjinën e luftës në Ukrainë.

Ai ka qenë kritik i ashpër ndaj sulmeve ruse mbi infrastrukturën civile në Ukrainë, shpeshherë më i zëshëm se zyrtarë të tjerë të administratës Trump.

Burime nga Reuters theksojnë gjithashtu përplasje të herëpashershme mes Kellogg dhe Steve Witkoff, i dërguari tjetër special për misionet e paqes. Witkoff ka përsëritur disa nga tezat e presidentit rus Vladimir Putin dhe ka përkrahur një marrëveshje paqeje që përfshin një shkëmbim territorial të pabarabartë.

Deri më tani nuk dihet nëse Kellogg do të zëvendësohet dhe kush mund ta marrë rolin e tij. SHBA ende nuk ka një ambasador të konfirmuar nga Senati në Ukrainë. Aktualisht, misioni diplomatik amerikan në Kiev drejtohet nga diplomatja Julie Fisher, e emëruar si e ngarkuar me punë në maj.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *