Keith Urban surprizoi të pranishmit në një event të organizuar në resortin Mar-a-Lago të Donald Trump, duke interpretuar këngën “Pink Pony Club” të Chappell Roan, e konsideruar një himn i komunitetit LGBTQ. Ngjarja u organizua nga miliarderi australian Anthony Pratt, ku në pamjet e publikuara shihen Trump dhe Pratt të ulur pranë njëri-tjetrit gjatë performancës.
Gjatë mbrëmjes, këngëtari 58-vjeçar interpretoi edhe këngën “Is This Love” të Bob Marley-t. “Pink Pony Club” është përfshirë së fundmi në repertorin e tij të koncerteve live. Urban ka deklaruar më herët se mesazhi i këngës, që lidhet me pranimin dhe ndjesinë e përkatësisë, e ka prekur thellë.
Performanca e Urban vjen në një moment kur ai është në qendër të vëmendjes për shkak të ndarjes nga aktorja Nicole Kidman, pas 19 vitesh martesë. Çifti ka dy vajza: Sunday, 17 vjeçe, dhe Faith, 14 vjeçe. Burime pranë çiftit bëjnë të ditur se largësia e vazhdueshme për shkak të angazhimeve në karrierë ka ndikuar në marrëdhënien e tyre, e cila me kalimin e kohës ishte bërë gjithnjë e më sfiduese.
Kënga “Pink Pony Club” u lançua fillimisht në vitin 2020 nga Chappell Roan dhe u përfshi më pas në albumin e saj të vitit 2023. Këtë vit, këngëtarja e interpretoi edhe në ceremoninë e çmimeve Grammy 2025.
Urban pritet të ngjitet sërish në skenë këtë të mërkurë mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Country Music Association (CMA) në Nashville.