Kelmendi mohon akuzat e portalit: Shkrimet janë të pavërteta dhe shpifëse

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, e ka cilësuar si të pavërteta dhe shpifëse shkrimet e publikuara së fundi nga portali “Paparaci”.

“Më vjen shumë keq që një portal i njohur si ‘Paparaci’ vazhdon të raportojë të pavërteta. Lajmet e publikuara janë të pavërteta dhe tendencioze. Të dhënat janë gënjeshtra të plota. Kam pasur shkrime të ngjashme edhe më herët nga i njëjti portal dhe nga pronari i tij, Vehbi Kajtazi”, tha Kelmendi.

Ai hodhi edhe akuza ndaj gazetarit Kajtazi, duke thënë se ai ka kërkuar përfitime personale dhe, pasi është refuzuar, ka dërguar mesazhe shantazhuese.

“Pasi refuzova kërkesat e tij për të ushtruar ndikim në punën time, ai më ka dërguar edhe SMS shantazhuese, për të cilat ka qenë i njoftuar edhe ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi”, deklaroi Kelmendi.

Sipas tij, artikulli i publikuar nga ky portal ka për qëllim përhapjen e informacioneve të rreme.

“Pretendimet e tij janë tërësisht të pavërteta. Jam i kënaqur që kam pasur mundësinë të jap një deklaratë në Prokurorinë Speciale, e cila konfirmon atë që po e them sot”, u shpreh ai.

Kelmendi theksoi se kurrë nuk ka qenë në fshatin Reçak para vitit 2001 dhe se nuk ka ushtruar funksione si gjyqtar apo prokuror para vitit 2000, kur është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Ai ka kujtuar se ka qenë pjesë e trupit gjykues në rastin për masakrën e Reçakut, së bashku me dy gjyqtarë dhe një prokuror ndërkombëtar, ku njëri nga të akuzuarit është shpallur fajtor.

Ndërkohë, lidhur me raportimet, ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve, e cila ka kërkuar nga mediat që të raportojnë me korrektësi dhe pa spekulime.

“Publikimi i informacioneve të paverifikuara dhe mënyra e paraqitjes së tyre rrezikon të krijojë perceptime të dëmshme ndaj Prokurorit të Shtetit dhe është i papranueshëm”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *