Kërkohet dorëzimi i dosjeve përfundimtare në janar 2026 në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Me një kërkesë të përbashkët të mbrojtjes, së cilës iu bashkua edhe Prokuroria, u propozua që dosjet përfundimtare në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dorëzohen më 30 janar 2026, ose 60 ditë pas përfundimit të paraqitjes së provave.

Prokurori James Pace e vlerësoi të arsyeshme këtë kërkesë të përbashkët. Ai theksoi se kjo mbështetet në disa faktorë, përfshirë periudhën kohore të mbuluar nga aktakuza, dhjetë pikat e saj që përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, mbi 400 incidente të pretenduara, dëshmi nga më shumë se 250 dëshmitarë, si dhe mbi 5 mijë materiale të pranuara si prova. Po ashtu, janë mbi 300 vendime të pranuara që ende nuk janë shqyrtuar.

Sipas prokurorit, dorëzimi i dosjeve përfundimtare më 19 dhjetor 2025 nuk është i realizueshëm.

Trupi gjykues pyeti nëse ka ndonjë çështje që mund të pengojë mbylljen e paraqitjes së provave rreth datës 4 dhjetor 2025. Palëve iu kërkua gjithashtu të shprehen nëse e pranojnë që ky njoftim të bëhet me shkrim, në vend të një seance.

Prokuroria nuk kishte kundërshtime që mbyllja e provave të bëhej në mënyrë të shkruar. Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, deklaroi se nuk parashikojnë ndonjë mocion që do të pengonte këtë proces. Edhe ekipet e tjera mbrojtëse nuk kishin kundërshtime, ashtu si dhe përfaqësuesi i viktimave, Simon Laws, i cili tha se nuk janë kundër kërkesës së përbashkët.

Përsa i përket fjalëve përfundimtare në këtë çështje, u propozua që ato të mbahen në mars ose prill të vitit 2026. Prokuroria kërkoi që këto deklarata të zhvillohen jo më herët se 45 ditë pas dorëzimit të dosjeve përfundimtare. Sipas Mishetiqit, mbrojtjes do t’i duhet një seancë e plotë për paraqitjen e deklaratave përmbyllëse, ndërsa Prokuroria u shpreh se asaj do t’i mjaftonin rreth dy ditë për këtë proces.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *