Khloe Kardashian ka shprehur hapur dyshimet e saj lidhur me uljen në Hënë, duke thënë se mendon se kjo ngjarje historike ishte e falsifikuar.
Në një episod të emisionit “The Kardashians”, ajo deklaroi se i qëndron besnike këtij mendimi dhe se ndjen keqardhje që ndoshta ka ndikuar edhe tek motra e saj, Kim Kardashian, për të besuar në këtë teori konspirative.
“Nuk besoj në uljen në Hënë. Ndihem keq sepse mendoj se e shtyva Kim-in të besonte në këtë gjë dhe ajo tani ka hyrë në shumë telashe”, tha Khloe.
Ajo shtoi se së bashku me vëllain i kishin dhënë Kim-it shumë informacion rreth kësaj çështjeje, por pavarësisht kritikave, do të qëndrojë pas bindjeve të saj.
“Nuk pres që qeveria ta pranojë se ishte një mashtrim – sepse nëse e pranojnë një gjë të tillë, ka shumë të tjera që mund të vihen në dyshim. Disa janë shumë të frikshme për të folur për to publikisht”, u shpreh ajo.
Khloe pranoi se ka prirje edhe ndaj teorive të tjera konspirative, por zakonisht nuk i ndan me të tjerët për të shmangur reagime negative.
Ndërkohë, NASA i është përgjigjur më parë deklaratave të Kim Kardashian, duke theksuar përmes administratorit të saj të atëhershëm, Sean Duffy, se ulja në Hënë më 1969 ka ndodhur dhe se astronautët vërtet kanë shkelur në sipërfaqen e saj.
/Telegrafi/