Një plan i ri për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, i hartuar nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, u refuzua si “absurd” dhe i papranueshëm nga autoritetet në Kiev gjatë bisedimeve mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe një delegacioni të lartë të ushtrisë amerikane.
Sipas zyrtarëve ukrainas, propozimi, i përgatitur nga Kirill Dmitriev, aleat i ngushtë i Vladimir Putinit, dhe Steve Witkoff, i dërguar i posaçëm i Donald Trump, shihet si një “provokim” që synon të krijojë përçarje dhe të çorientojë aleatët e Ukrainës, raporton The Guardian.
“Nuk ka asnjë shenjë që Kremlini të jetë gati për negociata serioze. Putini përpiqet të fitojë kohë dhe të shmangë sanksionet amerikane,” deklaroi Oleksandr Merezhko, kryetar i komisionit parlamentar të politikës së jashtme të Ukrainës, dhe e cilësoi Dmitrievin si “askush”.
Zëvendësministri i parë i Jashtëm, Sergiy Kyslytsya, e përshkroi nismën si jorealiste dhe sugjeroi se mund të jetë një operacion propagandistik në stil sovjetik, me qëllim ndikimin e opinionit publik dhe përhapjen e panikut.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur në Ukrainë për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, njoftoi ushtria amerikane. Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, zhvilloi bisedime me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, dhe pritet të takohet më vonë me presidentin Zelensky.
Sipas raportimeve, amerikanët dhe rusët kanë hartuar në heshtje një plan për të ndalur luftën. Në kuadrin e këtij plani, Kievit do t’i kërkohej dorëzimi i territoreve dhe kufizimi i madhësisë së ushtrisë ukrainase.
Telegrafi