Klubi i Prishtinës ka njoftuar për përmbylljen e marrëveshjes me trajnerin Arsim Thaqi; sipas klubit, marrëveshja ishte e dyanshme. Rasti vjen ndërkohë që skuadra qëndron në pozitën e parë të tabelës, çka tregon se vendi në krye nuk po ofron garanci për stabilitetin e trajnerëve.
Analistë të futbollit reaguan ashpër ndaj vendimit dhe e cilësuan vendimmarrjen e kryesive si jo-profesionale. Visar Zogiani, për Radio Dukagjini, tha se një pjesë e kryesive marrin vendime sipas tekeve personale. “Derisa klubet janë brenda këtyre objektivave, janë në krye të tabelës, kanë për qëllim shpalljen kampion apo ngritjen në një ligë më lart, nuk e di se ku mund t’i gjejnë dështimet e trajnerëve, përveçse në faktin se trajnerët nuk u binden dëshirave që kanë kryesitë”, tha Zogiani.
Edhe Muhamet Dragusha i tha Radio Dukagjinit se kjo vjen si pasojë e mungesës së profesionalizmit brenda kryesisë. “Si arsye, mendoj që nuk është shumë profesionale vendimmarrja e kryesisë, pasi vetë ata nuk janë profesionistë. Të ishin profesionistë në këtë fushë dhe të merrnin vendime profesionale, do të kishte shumë rëndësi. Mendoj që nuk janë profesionalë dhe se bordi, si bord, nuk është profesional”, tha Dragusha.
Kujtojmë se në vitet e fundit janë regjistruar raste të ngjashme edhe me trajnerët Granit Begolli, Granit Dërvisholli, Leotrim Krasniqi, Megzon Visoka dhe Shpëtim Duro.
Telegrafi