Kocevski: Po garantojmë procedurë transparente për rastin e zjarrit në ‘Pulse’

Prokurori Publik i Shtetit, Ljupço Kocevski, tha se pret një proces gjyqësor transparent për rastin e zjarrit në objektin ‘Pulse’ në Koçan, seanca e parë e të cilit u zhvillua dje.

“Dinamika e gjykimit përcaktohet nga gjykata. Nga ana jonë janë përmbushur të gjitha kushtet dhe kemi angazhuar disa prokurorë shtesë për të shmangur çdo vonesë nga ana e Prokurorisë Publike”, deklaroi Kocevski.

Në një prononcim televiziv, ai u shpreh se nuk pret që procesi në shkallën e parë të zgjasë shumë, pasi ekzistojnë afate të përcaktuara ligjore.

Kocevski theksoi se është e gabuar të mendohet se Prokuroria ka lënë hapësirë për vonesa, duke qenë se çështja përfshin një numër të madh të akuzuarish. Fillimisht ishin 48 të dyshuar, por më pas u ngritën akuza kundër 35 personave fizikë dhe tre personave juridikë.

“Numri i të akuzuarve nuk është aq i madh sa të kërkohet ndarja e procedurës. Për më tepër, ndarja e saj do të sillte përsëritje të provave dhe komplikime ligjore, duke shkaktuar vonesa të mëtejshme. Ndaj vendosëm ta trajtojmë çështjen në një procedurë të vetme kundër të gjithë të akuzuarve. Besoj se kjo është zgjidhja më e përshtatshme”, tha Kocevski.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *