Komisioni Evropian përmirëson parashikimet ekonomike për Maqedoninë e Veriut

Projektimet ekonomike të vjeshtës të publikuara nga Komisioni Evropian tregojnë një drejtim pozitiv për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, vlerëson ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Në një postim në Facebook, ministrja tha se parashikimi për rritjen ekonomike të vendit është përmirësuar për vitet 2025 dhe 2026. Sipas saj, kjo është një konfirmim i stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe besimit në politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria.

Në raportin e KE-së theksohet se në gjysmën e parë të vitit, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ishte më e lartë se sa pritej, e nxitur nga rritja e investimeve, konsumit privat dhe përmirësimi i eksporteve.

“Investimet në infrastrukturë dhe në sektorin privat janë identifikuar si shtytës të rritjes në vitet e ardhshme, ndërsa stabilizimi i inflacionit përmirëson më tej parashikueshmërinë ekonomike. Zbatimi i projekteve të mëdha infrastrukturore dhe reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, shkruan ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Ajo shton se këto sinjale pozitive nga Komisioni Evropian janë një nxitje për vazhdimin e politikave të përgjegjshme që mbështesin rritjen ekonomike dhe rritjen e standardit të jetesës për qytetarët.

“Si Qeveri dhe si Ministri e Financave, qëndrojmë të përkushtuar ndaj financave publike të qëndrueshme, investimeve afatgjata dhe reformave që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik”, thekson ajo.

Sipas projeksioneve të raportit, rritja ekonomike për vitin 2025 parashikohet në 3.2%, duke shënuar një rritje prej 0.2 pikë përqindje krahasuar me parashikimin e mëparshëm. Për vitin 2026, Komisioni Evropian e ka rishikuar projeksionin në 3.3%, ndërsa për vitin 2027 parashikohet një rritje po ashtu prej 3.3%.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *