Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës, e udhëhequr nga presidenti Agim Ademi. Takimi u përqendrua në analizën e garave, shqyrtimin e kërkesave të klubeve dhe përcaktimin e prioriteteve për fazën e ardhshme të punës.
KE vlerësoi situatën e përgjithshme të futbollit kosovar në një periudhë me sfida dhe mundësi, me theks të veçantë pas kualifikimit të Kombëtares A në play-off-in e Botërorit 2026. U theksua nevoja për organizim të qëndrueshëm, investime të vazhdueshme dhe përkushtim të shtuar ndaj përgatitjeve për dy ndeshjet vendimtare të play-off-it, edhe në aspektin sportiv, edhe në atë organizativ.
Gjatë mbledhjes u morën vendime strategjike që synojnë forcimin e futbollit vendor dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore. Komiteti miratoi vazhdimin e investimeve kapitale në infrastrukturë në të gjitha rajonet e vendit, me qëllim avancimin e mëtejshëm të futbollit vendor dhe sigurimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve të planifikuara për vitin e ardhshëm.
Po ashtu, KE shqyrtoi kërkesat dhe propozimet e klubet e futbollit për të përcaktuar sfidat dhe nevojat e tyre për vazhdim. Në përfundim të mbledhjes, Komiteti vendosi themelimin e grupit punues për organizimin e ceremonisë tradicionale të shpalljes së më të mirëve “Laureatët e vitit 2025”.