Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut që kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona.
“Reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, deklaroi kryetari Aliu.
Ai njoftoi se gjatë ditës së nesërme do të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë ndodhet në terren dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
Që nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale, së bashku me njësitë vartëse, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Policinë, janë angazhuar për të mbajtur situatën nën kontroll.
Komuna bëri të ditur se në disa fshatra gjendja është më e rënduar, por ekipet komunale me makineri të specializuar po ndërhyjnë për riparimin e dëmeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Komuna e Shtimes u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e situatës.