Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar përmbytje në disa fshatra të komunës.
Kryetari i komunës, Qemajl Aliu, ka bërë të ditur se gjatë natës së kaluar, deri në orët e vona të mbrëmjes, ka qenë në terren bashkë me ekipet komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës.
“Shtretërit e lumenjve kanë dalë nga shtrati në disa zona të rrafshit, duke shkaktuar vërshime. Për këtë arsye është shpallur gjendje emergjente. Gjendja aktualisht është e stabilizuar. Që nga mëngjesi, ekipet po punojnë për vlerësimin e dëmeve dhe ndihmën në zonat ku ka nevojë urgjente. Asnjë familje nuk do të mbetet pa ndihmë”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ai shtoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me banorët e zonave të prekura dhe se çdo kërkesë po trajtohet me prioritet.
“Komuna e Shtimes do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve të mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast ose shqetësim në numrin 044 172 839 – Zyra për Emergjenca, në mënyrë që ekipet tona të reagojnë sa më shpejt”, tha ai.