Inspektorët doganorë nga ekipet mobile të Sektorit për Kontroll dhe Hetime, në pikën kufitare Tabanoc, kanë sekuestruar valuta të huaja të padeklaruara që një shtetas serb kishte tentuar t’i nxirrte jashtë vendit në mënyrë të paligjshme.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrollit rutinë, pas deklarimit të pasagjerit se nuk kishte asgjë për të deklaruar dhe se mbante më pak se 1.000 euro, u krye një kontroll i detajuar i automjetit. Gjatë kontrollit, në sediljen e pasagjerit, nën një xhaketë, u zbulua një çantë dore e zezë me 44.000 euro. Gjithashtu, në bagazhin e automjetit u gjet një tjetër çantë lëkure e zezë me 50.000 euro. Shuma totale prej 94.000 eurosh nuk ishte deklaruar dhe personi nuk posedonte dokument që të dëshmonte origjinën e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se personit i janë kthyer 10.000 euro, shumë që jorezidentët lejohen ta nxjerrin nga vendi pa deklarim, sipas Ligjit për Operacionet me Këmbim Devizor. Ndërsa pjesa tjetër, 84.000 euro, është konfiskuar përkohësisht.