Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Koresë përmes një granti, ka siguruar tetë automjete moderne elektrike dhe instalimin e stacioneve të karikimit, njofton MSH.
Sot u dorëzuan tre automjete të para, në prani të ambasadorit të Republikës së Koresë, Dong-bae Kim. MSH njofton se pesë automjete të tjera priten të mbërrijnë deri në fund të muajit, me çka do të përmbyllet donacioni prej gjithsej tetë automjetesh elektrike.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vlerësoi ndihmën duke thënë: “Kjo mbështetje e rëndësishme nga Republika e Koresë paraqet një hap të madh drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe do të mundësojë funksionim më efikas, më ekonomik dhe më ekologjik të shërbimeve inspektuese.”
Gjatë ceremonisë së dorëzimit, ministri Aliu shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e Qeverisë së Republikës së Koresë në forcimin e kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor. /Telegrafi/