Autoritetet e Koresë së Veriut kanë ekzekutuar një çift biznesmenësh, të akuzuar për arrogancë dhe veprimtari antirepublikane pas suksesit të tyre në fushën e biznesit privat.
Sipas Daily NK, çifti në të 50-at drejtonte një aktivitet tregtar që përfshinte shitjen, riparimin dhe dhënien me qira të biçikletave elektrike, pjesëve të motoçikletave me bateri dhe biçikletave të zakonshme. Edhe pse ishin të regjistruar zyrtarisht në Komitetin Qendror të Federatës së Përgjithshme të Sindikatave në Distriktin Sadong, ata ishin bërë të njohur për fitimet e tyre të mëdha dhe për mënyrën e jetesës, që vendasit e përshkruanin si arrogante.
Disa banorë kishin shfaqur pakënaqësi për shkak të çmimeve të larta dhe cilësisë së produkteve, ndërsa autoritetet i akuzuan për shkelje të Aktit të Refuzimit të Mendimit dhe Kulturës Reaksionare. Çifti u dyshua gjithashtu për bashkëpunim me një organizatë të huaj në lëvizje të paligjshme të valutës dhe për përhapje të mesazheve kundër shtetit.
Pas arrestimit në gusht, ata u morën në pyetje dhe në fillim të shtatorit u dënuan me vdekje. Ekzekutimi u zhvillua në një zonë të hapur në Mirim, ku mbi 200 banorë u detyruan të marrin pjesë, përfshirë fëmijë dhe adoleshentë.
Sipas burimeve lokale, banorët që nuk kishin mundësi për kujdes ndaj fëmijëve u detyruan t’i merrnin me vete, ndërsa nxënësit që ndodheshin pranë vendit iu bashkuan turmës pa rezistencë.
Zyrtarët deklaruan se ekzekutimi kishte për qëllim të shërbente si paralajmërim për parandalimin e “kaosit ekonomik” dhe për të forcuar kontrollin shtetëror mbi bizneset private.
Rreth 20 persona të tjerë të lidhur me çiftin u dënuan me dëbim ose me dërgim në qendra riedukimi. Ngjarja ndodhi pak pas rikthimit të liderit Kim Jong-un nga një vizitë zyrtare në Kinë.