Kos: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin në sinkron, afat qershor 2026 për reformat

Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, kërkoi që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin në sinkron në zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së. Ajo vuri në dukje se është e rëndësishme të mos krijohen hendekë mes vendeve të rajonit dhe se qershori i vitit 2026 shënon një afat të rëndësishëm, pasi atëherë skadon periudha njëvjeçare e pritjes për reformat e papërmbushura.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrimin evropian të rajonit. Sipas BE-së, ky plan kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet evropiane në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.

Pas përfundimit të samitit rajonal për Planin e Rritjes, të mbajtur të premten në Tiranë, Kos tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian si shpërblim për përafrimin me legjislacionin dhe vlerat e BE-së. Ajo i bëri thirrje udhëheqësve të rajonit të intensifikojnë punën për reformat për të mos humbur mundësitë e ofruara nga plani.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi se samiti ishte i frytshëm dhe konfirmoi se Plani i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian.

Në samit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Kosova ende nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, pasi disbursimi i mjeteve të para-financimit është i lidhur me miratimin në Kuvend të dy marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat nuk u miratuan për shkak të krizës politike në vend.

Me zbatimin e reformave të parashikuara, Kosova mund të përfitojë deri në 882,6 milionë euro nga fondet e BE-së. Nga kjo shumë, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa 629,3 milionë euro janë hua afatgjata.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *