Ndeshja e fundit e fazës së grupeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës përfundoi me rezultat 1-1, duke i siguruar Dardanëve një vend në fazën play-off dhe duke konfirmuar kualifikimin e drejtpërdrejtë të Zvicrës në Kupën e Botës.
Zvicra kaloi në avantazh në minutën e 47-të me golin e Ruben Vargas, pas një pasimi të saktë nga Djibril Sow. Vargas finalizoi qetësisht brenda zonës. Barazimi për Kosovën erdhi në minutën e 72-të nga Florent Muslija, i cili realizoi një gol spektakolar me një goditje të fuqishme jashtë zonës, duke mposhtur portierin Gregor Kobel.
Lumbardh Dellova ishte lojtari më i vlerësuar te Kosova me notën 7.9. Pas tij renditen Florent Muslija me 7.5, Fidan Aliti me 7.2 dhe Elvis Rexhbecaj e Mërgim Vojvoda me nga 7.1, të gjithë me paraqitje pozitive.
Nga ana tjetër, Djibril Sow ishte më i miri te Zvicra me notën 7.6, ndërsa kapiteni Granit Xhaka mori një notë mesatare prej 6.7.
Ndeshja u karakterizua nga intensitet i lartë dhe përpjekje të vazhdueshme nga të dy skuadrat, me Kosovën që arriti të marrë një rezultat të rëndësishëm në përpjekjet për kualifikim.