Kosova kufizon importin e shpezëve nga Gjermania për shkak të gripit të shpezëve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Republikës së Kosovës ka ndryshuar vendimin e mëparshëm lidhur me importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania.

Sipas njoftimit zyrtar, importi lejohet përveç nga disa zona administrative ku është konfirmuar prania e gripit të shpezëve (HPAI–H5N1).

“Bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportin e Komisionit Evropian të datës 28 tetor 2025 dhe raportin e autoriteteve gjermane të datës 12 nëntor 2025, kemi vendosur të ndalojmë importin vetëm nga zonat e prekura”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Zonat që përfshihen në ndalesë janë: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein. Ndalohet importi i shpezëve të gjallë, mishit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga këto rajone.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në fuqi deri në një vlerësim të ri nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.

“Do të vazhdojmë të monitorojmë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojmë me institucionet përkatëse për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen për çdo ndryshim”, shtoi AUV.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *