Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar ndalimin e importit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga disa zona administrative të Gjermanisë. Zonat e përfshira në këtë vendim janë: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein.
Në njoftimin e AUV-it thuhet se me këtë është bërë plotësim-ndryshimi i vendimit të mëparshëm për ndalimin e importit nga Gjermania, duke shfuqizuar vendimin e datës 30 tetor 2025.
Ky vendim është marrë duke u bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportin e Komisionit Evropian të datës 28 tetor 2025 dhe raportin e Autoritetit Kompetent të Gjermanisë të datës 12 nëntor 2025.
Sipas AUV-it, në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, lejohet importi i shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania, me përjashtim të zonave të përmendura më sipër. Në këto rajone është konfirmuar prania e gripit të shpezëve (Avian Influenza), serotipi me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në disa ferma të shpezëve. Si rrjedhojë, ndalohet importi i shpezëve të gjalla, mishit të tyre dhe nënprodukteve që kanë origjinën nga këto zona.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në fuqi deri në një vlerësim të ri nga autoritetet përkatëse, kombëtare dhe ndërkombëtare.
AUV thekson se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim të mundshëm.