Eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev, ka deklaruar se personat që aplikojnë për shtetësi bullgare duhet të fotografohen para flamurit dhe stemës së Bullgarisë. Ai theksoi se një ceremoni e tillë do të shërbente si një akt solemniteti dhe respekti, si dhe një masë për të rritur transparencën përmes krijimit të një regjistri publik.
“Për të marrë shtetësinë, ata dëshmuan për origjinën e tyre bullgare dhe nënshkruan një dokument ku deklaronin se ndihen etnikisht bullgarë. Një foto institucionale përpara flamurit dhe stemës kombëtare duhet të bëhet pjesë e këtij procesi”, u shpreh Kovaçev.
Në një intervistë për “24chasa.bg”, eurodeputeti nga partia GERB foli edhe për procesin e integrimit evropian në rajon. Sipas tij, për herë të parë, Komisioni Evropian ka dhënë afate të qarta për përfundimin e negociatave për anëtarësim: Mali i Zi në vitin 2026, Shqipëria në 2027, dhe Moldavia e Ukraina në 2028.
Ai vuri në dukje se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina po mbeten prapa në këtë proces. “Maqedonia nuk po bën përparim as në reforma dhe as në aspektin e integrimit evropian. Qeveria ishte e përqendruar në fitimin e zgjedhjeve lokale. Edhe pse OBRM-PDUKM fitoi bindshëm, përdorimi i një fushate kuazi-nacionaliste ka rrezikuar integrimin evropian të vendit”, tha Kovaçev.
Ai shtoi se një nga kushtet që Maqedonia e Veriut ka pranuar është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë dhe zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë, përfshirë edhe protokollet përkatëse.
I pyetur nëse beson se mund të ketë ndryshim të politikës në Shkup apo presion nga Bashkimi Evropian ndaj Bullgarisë, Kovaçev u përgjigj se “është absurde të besohet në një gjë të tillë”.
Ai përmendi gjithashtu zhvillime pozitive në bashkëpunimin mes dy vendeve, si nënshkrimi i marrëveshjes mes ministrive të transportit për ndërtimin e një tuneli të përbashkët në kufi, si dhe përfundimin e linjës hekurudhore Shkup–Sofje, pjesë e Korridorit 8, lidhje e rëndësishme për tregtinë, turizmin dhe sigurinë mes Adriatikut dhe Detit të Zi.