KPK propozon shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit, Besim Kelmendi

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli ka kërkuar që në rend dite të përfshihet propozimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Grantolli tha se në institucion nuk ka vend për ego personale e për kalkulime të interesit. Sipas saj, kohët e fundit është krijuar paqartësi dhe debate që nuk i shërbejnë KPK-së: «Ne jemi zotuar që të bëjmë drejtësi, por jo drejtësinë e shkruar në letër e jo atë që shfaqet në deklarata formale.»

Ajo kujtoi se më shumë se tre vjet më parë e kishte propozuar vetë Besim Kelmendin për ushtrues detyre të Kryeprokurorit, pasi një vendim i presidentes për të mos dekretuar Blerim Isufaj kishte lënë institucione në situatë të vështirë. Në atë kohë, sipas Grantollit, Kelmendi ishte vlerësuar si prokurori më i përshtatshëm. Por, shtoi ajo, së fundmi janë shfaqur akuza të rënda ndaj udhëheqësve kryesorë të sistemit prokurorial, gjë që e ka nxitur kërkesën për shkarkim: «Drejtësia nuk mund të jetë arenë për lojëra të interesit. Nuk ka vend për ego, nuk ka vend për kalkulime personale.»

Të mërkurën, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në një konferencë për media ka hedhur poshtë raportimet se kishte qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut, Danica Marinkoviq. Ai deklaroi se gjatë periudhës së luftës ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe këtë e ka përdorur për t’i ofruar dokumente Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe mediave, me qëllim të dokumentimit të krimeve të kryera nga forcat serbe.

Kelmendi gjithashtu e ka akuzuar pronarin e portalit “Paparaci”, Vehbi Kajtazi, për shantazh, çka Kajtazi e ka mohuar.

(Raportim nga Telegrafi)

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *