KPK shkarkon Besim Kelmendin si Ushtrues të Kryeprokurorit, reagim kritik i Zyrës së BE-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar sot Besim Kelmendin nga detyra e Ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor në një mbledhje ku ishin të pranishëm vetëm pesë anëtarë.

Shkarkimin e propozoi zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Gërvalla-Grantolli, e cila kërkoi që çështja të futet në rend dite, duke përmendur edhe intervistimin e Kelmendit së fundmi si dëshmitar për masakrën e Reçakut.

Vendimi ka nxitur reagime të forta. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e vlerësoi atë si të dëmshëm për sundimin e ligjit dhe proceset reformuese në sistemin prokurorial. Në reagim thuhet: “Sot, shkarkimi i ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e nevojshme dhe të vazhdueshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Ky veprim gjithashtu minon progresin e Kosovës drejt rrugës së saj evropiane.”

Vendimi ka hapur debat mbi legjitimitetin e tij, pasi u mor me vetëm pesë anëtarë të pranishëm, ndërkohë që Këshilli ndodhet në proces reformimi dhe ristrukturimi.

Shkarkimi pritet të rrisë tensionet lidhur me funksionimin e KPK-së dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vend.

Burimi: Telegrafi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *