Kroos për Viniciusin: Sjellja e tij ndikonte negativisht në ekip

Pas deklarimeve publike në mbështetje të Vinicius Juniorit në polemikat me Xabi Alonson, Toni Kroos ka rikthyer në vëmendje disa nga sjelljet e diskutueshme të brazilianit gjatë kohës që luanin së bashku te Real Madridi.

Mesfushori gjerman theksoi se temperamenti i tepruar i Viniciusit shpesh ndikonte negativisht në skuadër.

“Shpesh i thosha që mjaft ishte mjaft, sepse dukej sikur i gjithë ekipi dëmtohej nga sjellja e tij,” u shpreh Kroos.

Ai shtoi se reagimet e sulmuesit krijonin ndjesinë se gjithçka po kthehej kundër ekipit.

“E kuptoj që në një moment mund të bëhet irritues, qoftë për kundërshtarët, për arbitrat apo për tifozët e skuadrës kundërshtare,” tha ish-futbollisti i Real Madridit.

Kroos tregoi se përpiqej ta qetësonte Viniciusin për të ruajtur përqendrimin në lojë.

“Përpiqesha ta qetësoja, kryesisht që të mos humbiste përqendrimin, sepse kjo ndodhte ndonjëherë. I thosha shpesh: ‘Vinicius, ti je aq i mirë sa nuk ke nevojë për këto gjëra’,” përfundoi ai.

Deklaratat e Kroosit nënvizojnë marrëdhënien mes dy futbollistëve, duke kombinuar mbështetjen për Viniciusin me reflektime mbi ndikimin e sjelljes së tij në lojën e ekipit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *