Zohran Mamdani, kryetari i zgjedhur i qytetit të New Yorkut, ka përsëritur kritikat ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, vetëm pak orë pas takimit të kryebashkiakut në largim, Eric Adams, me liderin izraelit. Gjatë takimit, Adams e ftoi Netanyahun të marrë pjesë në inaugurimin e Mamdanit.
Në nëntor të vitit të kaluar, Dhoma Paraprake I e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi urdhërarrest për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata akuzohen për përdorimin e urisë si metodë lufte dhe për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, përfshirë vrasje dhe përndjekje.
Në një intervistë për ABC7, Mamdani tha se takimi i Adams me Netanyahun reflekton një mospërputhje mes prioriteteve të qytetarëve dhe veprimeve simbolike të politikës së jashtme. Sipas tij, banorët e New Yorkut kanë nevojë për një administratë që fokusohet te çështjet urgjente që i prekin drejtpërdrejt.
“Banorët e New Yorkut janë në prag të përjashtimit nga qyteti që e quajnë shtëpi dhe veprimet e tij kanë pak lidhje me krizën e përballueshmërisë. Kjo tregon pse qyteti ka nevojë për një administratë të re, që dëgjon banorët e klasës punëtore dhe përqendrohet në nevojat e tyre, jo te kriminelët e luftës,” u shpreh Mamdani.
Ai e ka përshkruar vazhdimisht operacionin ushtarak të Izraelit në Gaza si gjenocid dhe ka kërkuar respektim të ligjit ndërkombëtar.
“Të jesh një qytet që respekton ligjin ndërkombëtar do të thotë të mbështesësh edhe zbatimin e tij. Kjo përfshin edhe pranimin e urdhër-arresteve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, qoftë për Netanyahun apo Putinin,” deklaroi ai.
Eric Adams do të largohet nga detyra më 1 janar, pas humbjes në zgjedhjet e 4 nëntorit. Zohran Mamdani, 34 vjeç, do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman dhe i parë me origjinë nga Azia Jugore në krye të qytetit më të madh të Shteteve të Bashkuara.