Kryetari i Kavadarcit: Koncerti i Aca Lukasit u ndërpre për shkak të shkeljeve serioze të sigurisë

Kryetari i komunës së Kavadarcit, Mitko Jançev, deklaroi se performanca e këngëtarit serb Aca Lukas në një lokal në Kavadarci u ndërpre për shkak të shkeljeve serioze të sigurisë, angazhimit të paparaqitur dhe mosrespektimit të rregullave të punës së lokalit.

Policia, së bashku me inspektorë nga disa institucione, hyri në objektin hotelier ku po zhvillohej performanca. Pas kontrollit të lokalit, artisti përfundoi në polici.

“Nuk do të lejojmë skenar si në Koçani. Siguria është e para!” tha Jançev.

Ai sqaroi se organizatorët më parë kishin paraqitur kërkesë në Komunën e Kavadarcit për vendosje të pajisjeve urbane dhe zgjerim të hapësirës për koncert, por kërkesa ishte refuzuar për arsye sigurie. “U kërkua leje nga Komuna e Kavadarcit për vendosjen e pajisjeve për performancën e artistit Aca Lukas. Komisioni konstatoi se nuk ka kushte për këtë për arsye sigurie. Më 14 nëntor kërkesa u refuzua, dhe pronari u informua me shkrim dhe gojarisht”, tha ai.

Jançev theksoi edhe se lokali ka kapacitet 200 personash, ndërsa brenda u gjetën rreth 700 persona. Ai shtoi se angazhimi i këngëtarit nuk ishte paraqitur as në Agjencinë e Punësimit, as në Ministrinë e Punës, çka përbën një shkelje shtesë.

Sipas tij, lokalet e mbingarkuara dhe mosrespektimi i masave të sigurisë në Kavadarci nuk do të tolerohen.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *