Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se erdhi me ndjesi feste dhe ngazëllimi, dy ditë pas pjesëmarrjes në Manastir, ku u shënua 117‑vjetori i Kongresit të Manastirit.
Në fjalimin e tij, Kurti vlerësoi datat historike si 22 nëntori i 1908‑ës dhe 28 nëntori i 1912‑ës: “Këto data … janë data historike të shënjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve”, tha ai.
Me rastin e 113‑vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tashmë ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente ose statistika, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai renditi disa nga arritjet dhe nismat që dëshmojnë afrimin mes dy vendeve: 58 marrëveshje të nënshkruara në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej; rritje të tregtisë me qindra milionë euro; qarkullim të energjisë pa pengesa; Lojërat Mesdhetare 2030; mundësi të barabarta për studentët; 26 vendkalime kufitare të reja; projekti hekurudhor Prishtinë–Durrës; hapje të zyrave doganore; heqje të vulës apostile; njohje të pensioneve dhe sigurimeve; njësim të diplomave dhe lëvizje pa kontrolle kufitare. Ai përmendi edhe abetaren unike, enciklopedinë shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare, si dhe përpjekjet për procedura të unifikuara dhe bashkëpunim teknik në fushat e sigurisë, turizmit, bujqësisë e drejtësisë.
Kryeministri kujtoi se ky përvjetor shënohet në sfondin e 81‑vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80‑vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se Shqipëria ishte e para dhe e vetmja vend që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar pranë Aleatëve. Ai nënvizoi nevojën për ruajtjen e këtij rreshtimi politik dhe angazhimit për të mbajtur aleatët.
Në përfundim të fjalës së tij, Kurti uroi: “Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”