Kurti kërkon votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe themelimin e komisioneve parlamentare

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar sot në Kuvendin e Kosovës miratimin e komisioneve parlamentare dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e tyre për interesat financiare të vendit.

Kurti tha se duhet të votohen katër komisionet e përhershme të Kuvendit, ndërsa paralajmëroi se mosmiratimi i disa projektligjeve dhe marrëveshjeve mund të shkaktojë humbje financiare për Kosovën.

“Çdo vonesë e mëtejshme rrezikon përfitimin e fondeve. Një kredi me 0 për qind interes është në pritje të miratimit, kredi të tilla janë të rralla dhe nuk duhet të jetë fare çështje diskutimi”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se një nga kreditë në pritje të ratifikimit ka më shumë se një vit që pret miratimin në Kuvend.

“Nëse ka diçka për të cilën do të hyjmë në histori, është pikërisht kjo: një kredi me 0 për qind interes që pret ratifikimin prej një viti”, tha ai.

Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë në seancën që filloi në orën 11:00.

Pikat e rendit të ditës së kësaj seance janë:
– Formimi i komisioneve parlamentare;
– Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për ndihmë në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje;
– Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim;
– Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” me Bashkimin Evropian;
– Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Kompas” për forcimin e sistemit shëndetësor;
– Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;
– Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026;
– Miratimi i buxhetit për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok;
– Çështja e financimit të RTK-së.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *