Kurti: Kosova rrezikon miliona euro nëse nuk miratohen marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi në Kuvend se Kosova do të humbasë miliona euro nëse nuk miratohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti u shpreh se në vend nuk ka krizë ekonomike dhe se mungesa e protestave tregon stabilitet ekonomik.

“Rritja ekonomike në tremujorin e dytë të këtij viti ka qenë 4.5 për qind të bruto produktit vendor. Në katër vitet e fundit, rritja ekonomike nuk ka qenë asnjëherë nën 4 për qind. Aktualisht është 6 për qind. Prandaj nuk ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa nga opozita. Po rrezikojmë një krizë sociale për shkak të krizës buxhetore dhe financiare, e cila buron nga keqpërdorimi i procedurave”, tha Kurti.

Ai i bëri thirrje deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi si përfaqësues të popullit dhe si zyrtarë të shtetit.

“Qëndrimet e subjekteve që nuk janë të pranishme nuk kanë justifikim. Nëse, sipas tyre, jemi vonuar me këto votime, pse nuk janë këtu që të na lënë ne fajtorë dhe popullit pa buxhet?”, shtoi Kurti.

Lidhur me pagat në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), Kurti tha se qeveria nuk ka mundësi të ofrojë më mbështetje financiare.

“Qeveria nuk ka mundësi të sigurojë over-draft mbi over-draft. Kur vetë themeluesi i RTK-së, që është Kuvendi, refuzon të alokojë buxhetin, qeveria nuk ka zgjidhje tjetër”, u shpreh ai.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *