Kurti mirëpret delegacionin japonez të biznesit në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmjen e kaluar në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama, me rastin e vizitës së Delegacionit Japonez të Biznesit.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shprehu mirëseardhjen anëtarëve të delegacionit, duke theksuar se prania e tyre në Kosovë është një sinjal i qartë për interesin në zhvillimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Kosova dhe Japonia ndajnë një marrëdhënie të ndërtuar mbi respektin, mbështetjen dhe vlerat e përbashkëta. Japonia ka qenë një partnere e palëkundur për Kosovën – duke mbështetur zhvillimin tonë, forcuar institucionet tona dhe kontribuar në mirëqenien e qytetarëve tanë. Për këtë ne jemi thellësisht mirënjohës”, tha Kurti.

Ai theksoi se ekonomia e Kosovës po vazhdon të rritet dhe modernizohet, ndërkohë që po krijohen hapësira të reja për investime, inovacion dhe bashkëpunim.

“Takimet e delegacionit me institucionet dhe kompanitë vendore gjatë qëndrimit në Kosovë do të hapin mundësi në fusha si teknologjia, prodhimi, energjia e ripërtërishme, bujqësia dhe sektorët e industrisë digjitale dhe krijuese”, u shpreh kryeministri.

Kurti shtoi se, në përfundim të diskutimeve të fundit midis institucioneve të të dy vendeve, ekziston gatishmëri e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dhe për të nisur aktivitete ekonomike të përbashkëta. Ai theksoi se sjellja e investimeve japoneze në Kosovë dhe thellimi i lidhjeve ekonomike mbetet në qendër të këtij partneriteti.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *