Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti sot një delegacion të Kongresit amerikan, të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas njoftimit për media, gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fushën e mbrojtjes.
Kurti theksoi se “në katër vitet e fundit mbi 1,000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të SHBA-së”, duke përfshirë akademitë West Point dhe U.S. Army War College.
Ai kujtoi edhe ushtrimet e përbashkëta të mbajtura në vend, duke nënvizuar se “Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të Defender Europe, ndërsa në Defender Europe 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së SHBA-së ka qenë e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë.”
Në aspektin e investimeve në mbrojtje, Kurti veçoi pajisjet amerikane të prokuruara kohët e fundit, duke përmendur armatimin modern. “Kemi prokuruar pajisje ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemet anti-tank Javelin,” tha ai, dhe shtoi se Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, duke e renditur vendin të 33-in në botë me këtë status.
Bashkëpunimi ekonomik ishte një temë tjetër kyçe e takimit, me mundësi në energji, teknologji dhe projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë transportin hekurudhor.
Kryeministri vuri në dukje progresin e brendshëm: “Kosova vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah.”
Ai konfirmoi se orientimi euro-atlantik i Kosovës mbetet i palëkundur, me synim anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian, jo vetëm si përfitues, por edhe si kontribuese për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Në përfundim, Kurti shprehu falënderimin për partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ai përfaqëson “mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.”
Burimi: Telegrafi.