Kurti priti kongresistët Mike Turner dhe Donald Norcross, fokus në bashkëpunimin ushtarak me SHBA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot kongresistin republikan Mike Turner dhe kongresistin demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në takim u diskutua për partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Kurti bëri të ditur se gjatë këtij mandati qeverisës Kosova e ka katërfishuar buxhetin e mbrojtjes, duke rritur kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe duke modernizuar pajisjet ushtarake, përfshirë edhe sisteme të prodhimit amerikan.

Ai theksoi se bashkëpunimi me SHBA-në është thelluar ndjeshëm, duke njoftuar se vetëm në katër vitet e fundit mbi 1,000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në programe trajnimore dhe edukim ushtarak në SHBA, përfshirë Akademinë West Point dhe U.S. Army War College.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, duke theksuar se ky partneritet mbetet i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *