Më 19 nëntor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë përbërjen e Qeverisë së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e udhëhequr nga Glauk Konjufca. Nga 113 deputetë të pranishëm, 56 votuan për, 53 kundër dhe 4 abstenuan. Më 26 tetor kishte dështuar edhe përpjekja e parë e mandatarit Albin Kurti për të formuar qeverinë.
Si pasojë, Presidentja Vjosa Osmani, më 20 nëntor, shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme për datën 28 dhjetor, duke konstatuar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit Kuvendi nuk kishte arritur të krijonte një shumicë qeverisëse.
Në këtë kontekst, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Vetëvendosje nuk pati mundësi reale për të formuar koalicion, pasi disa parti kishin deklaruar publikisht se nuk do të bashkëpunonin. “S’kemi pasur përpjekje për koalicion, sepse i kemi dëgjuar deklaratat publike edhe të LDK-së edhe të Nismës. Edhe pas mandatimit të tij kanë dalë menjëherë me deklarata; disa prej tyre kanë thënë se është shkelje kushtetuese, se duhen 61 nënshkrime, ose se vendi duhet të shkojë menjëherë në zgjedhje”, u shpreh Haxhiu.