Sulmuesi anësor i Barcelonës, Lamine Yamal, ka shprehur besimin dhe dëshirën për të fituar çdo trofe të mundshëm këtë sezon, si me klubin ashtu edhe me kombëtaren e Spanjës.
Yamal, 18 vjeç, është njëri nga emrat më të përfolur në vitet e fundit. Ai ishte shumë afër fitimit të Topit të Artë 2025, por në fund u mposht nga Ousmane Dembélé.
Pas marrjes së çmimit Di Stefano, të dhënë nga Marca për lojtarin më të mirë të sezonit 2024/25, Yamal tha: “La Liga, Liga e Kampionëve, Kupa e Botës apo Topi i Artë? Dua gjithçka. Shpresoj t’i arrij të gjitha dhe për sa kohë që mund të luajmë, është e mundur.”
“Të gjithë trofetë individualë tregojnë se ka qenë një sezon i shkëlqyer për ekipin. Për mua, kjo sjell lumturi dhe krenari,” shtoi ai.
“Grumbullimi i çmimeve në moshën time është shumë pozitiv. Do të vazhdoj të punoj dhe të luftoj për të arritur gjëra të tilla,” përfundoi sulmuesi i Barcelonës.
Burimi: Telegrafi