Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur mbledhjen e 7-të të Kryesisë, e cila do të mbahet nesër nga ora 15:00. Ftesa, e nënshkruar nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, përmban pesë pika kryesore që pritet të diskutohen, me theks në rezultatet e fundit lokale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Kryesia do të shqyrtojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale, duke përfshirë prezantimin e një analize politike të fushatës, identifikimin e pikave të forta e të dobëta, si dhe vlerësimin e degëve dhe kandidatëve që garuan.
Një nga çështjet kryesore është propozimi dhe procedura e votimit për nominimin e kandidatit zyrtar të LDK-së që do të garojë për postin e Kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme. Diskutimet dhe qëndrimet e anëtarëve të Kryesisë pritet të jenë përcaktuese për vendimin final.
Sipas dokumentit, Kryesia do të hartojë planin e fushatës, do të shqyrtojë organizimin në terren, mobilizimin e degëve dhe strategjinë mediatike. Po ashtu do të trajtohen çështje të logjistikës dhe koordinimit me Shtabin Zgjedhor.
Në mbledhje do të vendoset edhe data për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku pritet të paraqiten dokumentet zyrtare dhe të miratohen materialet për zgjedhjet. Diskutime shtesë mund të përfshijnë çështje statutare, ndryshime në përbërjen e Kryesisë dhe vendime operative sipas nevojës.
(Telegrafi)