LDK, PDK dhe AAK bojkotojnë seancën për komisionet parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot në ora 11:00 do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për formimin e komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Ndërkaq, në ora 14:00 pritet të mbahet një seancë tjetër për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Tri partitë kryesore opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë paralajmëruar mospjesëmarrje në seancën e parë të orës 11:00.

LDK njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën ku pritet të shqyrtohen çështje të rëndësishme si marrëveshjet ndërkombëtare, kreditë, borxhet dhe projektligjet e buxhetit. Sipas kësaj force politike, trajtimi i këtyre temave pa respektuar rregulloren paraqet një qasje të papërshtatshme ndaj agjendës shtetërore.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, konfirmoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, por vetëm në atë të orës 14:00. Po ashtu, edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, bëri të ditur se partia e tij do të bojkotojë seancën e parë dhe do të votojë kundër formimit të Qeverisë në seancën e pasdites.

I mandatuari për formimin e Qeverisë është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i cili u ngarkua me këtë detyrë nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor. Konjufca ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për të shmangur zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për dhjetor dhe për të formuar një qeveri të përkohshme deri në prill, periudhë kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Më parë, më 26 tetor, Albin Kurti nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë. LVV fitoi zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën në Kuvend pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *