Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë, ende në pritje të vendimit të Kushtetuese

Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme vazhdon të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E vetmja përgjigje që jepet për procesin është: “Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata”.

Teksti i ligjit u dërgua në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor 2024 nga Partia Demokratike e Kosovës. Në mungesë të vendimit, afatet procedurale mbeten të pazbuluara për publikun.

Kadri Kryeziu, në një intervistë për RTK, tha se në parim çështja duhet të zgjidhet brenda tre muajve dhe se Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë. Ai theksoi se ligji është i domosdoshëm dhe se duhej krijuar një institucion i ngjashëm me SPAK-un, të cilin e shikoi si kusht për integrimin evropian. “SPAK-u ka për detyrë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të personaliteteve shtetërore, të cilat, me detyrën e tyre, kanë arritur në pasuri të paligjshme”, tha Kryeziu.

Sipas projektligjit, verifikimi dhe konfiskimi pritet të zbatohen ndaj zyrtarëve dhe palëve të treta të dyshuara për fitime të pajustifikueshme, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Ligji përfshin periudhën që nis nga 17 shkurt 2008 dhe parashikon përgjegjësi për një periudhë prej dhjetë vjetësh pas largimit nga detyra të zyrtarëve publikë.

Sipas vlerësimeve, ky ligj mund të ndikojë në elitën politike dhe konsiderohet një nga parakushtet për përfshirjen në mekanizma ndërkombëtarë.

Më 5 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi në të dyja leximet projektligjin që parashikon themelimin e Byrosë. Byroja do të funksionojë si autoritet kompetent për nisjen dhe zhvillimin e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe për paraqitjen e propozimeve për konfiskim në gjykatë.

Byroja do të ketë kompetenca hetimore dhe është parashikuar të raportojë një herë në vit para Kuvendit për punën e saj. Drejtori i Byrosë do të zgjidhet për një mandat pesëvjeçar dhe nuk do të ushtrojë asnjë funksion tjetër që mund të paraqesë konflikt interesi me detyrën e tij.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *