Lihtenshtajni përfundon kualifikimet pa gol dhe me tetë humbje

Kualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2026 kanë përfunduar, ndërsa një ndeshje ‘play-off’ mbetet për të plotësuar katër vendet e fundit të Evropës në Botëror. Me mbylljen e kësaj faze, është bërë e qartë se përfaqësuesja më e dobët e raundit ishte Lihtenshtajni.

Kombëtarja nga Principata mbylli kualifikimet me tetë humbje në po aq ndeshje, duke mos arritur të shënojë asnjë gol dhe me një diferencë negative golash prej 0:31. Edhe ekipet si Gjibraltari dhe San Marino arritën të realizojnë përkatësisht tre dhe dy gola.

Kjo është hera e shtatë në histori që një përfaqësuese evropiane përfundon kualifikimet pa fitore dhe pa gol. Raste të ngjashme janë regjistruar edhe nga Andorra (2014), Malta (2010 dhe 1978), Lihtenshtajni (2002), San Marino (1998) dhe Qipro (1966).

Në këtë edicion, Lihtenshtajni doli më dobët edhe se San Marino, që cilësohet si përfaqësuesja më e dobët evropiane në renditjen e FIFA-s. San Marino arriti të shënojë dy gola përballë Rumanisë në kuadër të grupit ku bënte pjesë edhe Bosnja e Hercegovina.

Lihtenshtajni është i vetmi anëtar i UEFA-s që nuk organizon ligë kombëtare. Klubet nga ky shtet marrin pjesë në kampionatin zviceran. Ekipi më i njohur është FC Vaduz, që merr pjesë në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Në sezonin 2022/23, ky klub arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Në renditjen më të fundit të FIFA-s, Lihtenshtajni renditet mes pesë shteteve të fundit në botë, përkrah Bahameve, Ishujve të Virgjër të SHBA-së, Ishujve të Virgjër Britanikë, Anguillës dhe San Marinos.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *