Arbnor Spahiu, ish-polic i Kosovës, është liruar nga burgu në Serbi, ku ishte mbajtur për disa muaj.
Ai u ndalua në qershor nga policia serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të quajtur ‘vrasje e rëndë’, lidhur me ngjarjet në fshatin Banjskë të Zveçanit në vitin 2023.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njoftoi se ishte informuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi për lirimin e Spahiut nga paraburgimi. Sipas MPJD-së, nga dita e arrestimit Zyra Ndërlidhëse, së bashku me institucionet e tjera përkatëse, ndoqën nga afër rastin dhe ofruan mbështetjen e nevojshme, duke insistuar në respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
MPJD thekson se akuzat e autoriteteve serbe ndaj Spahiut ishin të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, dhe se paraburgimi i zgjatur shkeli të drejtën për një proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.
Sipas ministrisë, lirimi i Spahiut tregon se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve duhet të marrë fund.
MPJD falënderon institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kontribuuan në trajtimin e këtij rasti dhe përsërit përkushtimin për mbrojtjen e çdo qytetari të Republikës së Kosovës kudo që ndodhet. /Telegrafi/