Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se nëse vendos të kandidojë me një iniciativë të tijën në zgjedhjet e ardhshme, do të jetë në gjendje ta mposhtë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
I ftuar në emisionin ‘Rubikon’ në Klan Kosova, Lladrovci tha se kurrë nuk është zënë në befasi dhe do të jetë i përgatitur për garën. “Unë kam thënë nëse dal me iniciativën time, do ta mund edhe Albin Kurtin”, u shpreh ai.
Lladrovci po ashtu foli për mundësinë e një bashkëpunimi mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai theksoi se një koalicion i tillë do të ishte i mundur nëse arrihej dakordësi në disa çështje kyçe, si mbështetja për fondin që synon të ndihmojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ndërkohë, Glauk Konjufca, i mandatuari për formimin e Qeverisë, nuk arriti të sigurojë më shumë se 56 vota në Kuvend, numër i pamjaftueshëm për krijimin e ekzekutivit të ri. Si pasojë, vendi pritet të shkojë sërish në zgjedhje, pasi edhe pas nëntë muajsh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk është arritur të formohet një qeveri.