Në emisionin #KallxoPërnime po transmetohet intervista me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ministri Maqedonci tha se një pjesë e raketave “Javelin” të blera në Shtetet e Bashkuara pritet të arrijnë në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm.
“Përveç raketave ‘Javelin’, jemi duke bërë dhe kemi bërë blerje të shumta të sistemeve të armatimit nga SHBA dhe vende të tjera. Është një periudhë kur pritet të përcaktohet koha e arritjes. Ne jemi në pritje të konfirmimit. Diskutojmë që t’i kemi sa më herët. Vlerësoj se viti 2026 do të jetë koha kur patjetër do të kemi një sasi. Bashkë me komandantin e FSK-së jemi duke bërë përpjekje t’i kemi edhe gjatë këtij viti. ‘Javelin’ është një ndër sistemet më të mira kundër tankeve, por nuk janë të vetmet që i kemi në FSK”, tha ai.
Maqedonci kishte konfirmuar më 11.01.2024 se Kosova i ka nisur Shteteve të Bashkuara kërkesën për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.
Raketat “Javelin” janë prodhuar dhe zhvilluar për Ushtrinë dhe Trupat Detare amerikane dhe kanë rezultuar shumë efikase në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Këto armë prodhohen nga kompanitë Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.
Sipas të dhënave të publikuara nga Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem i saktë kundërtank, i lëvizshëm dhe i vendosur në platformë. Ai mund të përdoret edhe nga një ushtar i vetëm, i mbajtur mbi supe për të qëlluar nga lart ose drejtpërdrejt objektivin, si dhe mund të vendoset mbi automjete ushtarake. Një raketë e tillë vlerësohet se mposht forcat e blinduara të njohura, si dhe objektiva të buta dhe të parregullta.
Burimi: Kallxo.com