Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos, tha se dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë nisur të zbatojnë reformat e kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes. Sipas saj, këto vende janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, kryesisht për shkak të mungesës së institucioneve efektive.
Gjatë samitit për Planin e Rritjes në Tiranë, Kos theksoi se takimi shërben për të vlerësuar progresin dhe përcaktuar fushat ku duhet bërë më shumë. Implementimi i planit zgjat katër vite, dhe deri tani kanë kaluar dy.
Ajo deklaroi se dy vendet më të avancuara në proces janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë realizuar rreth 50% të reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.
Në samit, Kosovën e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Raporti i BE-së për progresin vëren se Kosova nuk ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin përfitimin nga Plani i Rritjes për shkak të ngërçit politik. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi nuk ka formuar ende ekzekutivin e ri, çka ka bllokuar miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Plani i Rritjes është një paketë investimesh prej 6 miliardë eurosh që synon të përshpejtojë rrugën e vendeve të rajonit drejt BE-së. Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, duke e bërë atë përfituesen më të madhe për kokë banori nga këto mjete.
Analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni, vlerësoi se Komisionerja Kos ka adresuar kryesisht çështje procedurale dhe se këshillat e saj kanë shkundur Kosovën dhe Bosnjën. Ai vuri në dukje veçoritë e Kosovës në lidhje me statusin në momentin e aplikimit për kandidat dhe shprehu skepticizëm mbi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Andoni tha se Kosova përballet me vështirësi të mëdha për shkak të bllokimit të Parlamentit dhe mosratifikimit të një serie marrëveshjesh që do t’i mundësonin disbursimin e fondeve, të cilat Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria kanë nisur t’i marrin. Sipas tij, Kosova ka masën më të madhe për frymë nga ndihmat e Fondit të Zhvillimit: 2 miliardë janë fonde dhe 4 miliardë janë kredi të buta. Ai shtoi se bllokimi i Parlamentit, i cilësuar nga Kurti si një ushtrim demokracie, përbën një alarm për kapacitetin politik të vendit që të përfitojë nga paketa deri në vlerësimin e përgjithshëm në qershor.