Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në një intervistë për A2CNN tha se nuk është e kënaqur me vendimin për të organizuar përsëri zgjedhje, por vlerëson se demokracia në Kosovë po funksionon.
Ajo sqaroi se pakënaqësia lidhet me pritjen e ratifikimit të dy marrëveshjeve të Planit të Rritjes, të domosdoshme për financimin e reformave që qeveria aktuale ka ndërmarrë. “Për çështjen e Kosovës, nuk jam e kënaqur që tani do të kenë përsëri zgjedhje, por demokracia e tyre po funksionon dhe jam e kënaqur për këtë. Po presim ratifikimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes. Kosova po bën reformat, por nuk mund t’i paguajmë paratë sepse nuk kemi këto marrëveshje”, tha Kos.
Marta Kos theksoi gjithashtu se, edhe pse Kosova nuk është ende kandidate zyrtarisht për Bashkimin Evropian, ajo është e përfshirë plotësisht në politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, duke ndjekur shembullin e Shqipërisë. Ajo shtoi se integrimi i Kosovës është pjesë e domosdoshme e procesit të zgjerimit të BE-së.
Komisionerja u shpreh optimiste për të ardhmen pas zgjedhjeve: “Shpresoj se së shpejti, pas zgjedhjeve, do të kemi një qeveri të re që mund të shtyjë përpara reformat. Ata kanë kryer tashmë disa nga reformat, kështu që mezi pres të kemi një qeveri funksionale dhe efikase, dhe më pas do të mund të përshpejtojmë edhe procesin e anëtarësimit.”