Mbështetja për presidentin amerikan, Donald Trump, ka rënë në 38 për qind, niveli më i ulët që nga janari, kur ai u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Rënia lidhet kryesisht me pakënaqësinë e qytetarëve për mënyrën se si po trajton krizën e kostos së jetesës dhe çështjen e Jeffrey Epstein, sipas një sondazhi të realizuar nga kompania Ipsos për agjencinë Reuters.
Sondazhi katërditor, i përfunduar të hënën, zhvillohet në një periudhë kur ndikimi i Trumpit në Partinë Republikane po tregon shenja dobësimi. Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, votoi të martën për ta detyruar Departamentin e Drejtësisë të publikojë dokumentet në lidhje me Jeffrey Epstein, i ndjerë dhe i dënuar për krime seksuale.
Trump, i cili më parë ishte kundër publikimit të këtyre dokumenteve, ndryshoi qëndrim të dielën. Projektligji në fjalë duhet ende të kalojë në Senat dhe të nënshkruhet nga Trump për të hyrë në fuqi.
Sipas sondazhit, mbështetja për Trumpin ka rënë me dy për qind krahasuar me fillimin e nëntorit. Sondazhi është realizuar online me pjesëmarrjen e 1,017 qytetarëve në të gjithë vendin dhe ka një margjinë gabimi prej tre pikësh përqindjeje.
Aktualisht, popullariteti i 79-vjeçarit është afër nivelit më të ulët të regjistruar gjatë mandatit të tij të parë dhe gjithashtu i afrohet vlerësimit minimal të paraardhësit demokrat, Joe Biden. Mbështetja më e ulët për Biden ishte 35 për qind, ndërsa për Trumpin, gjatë mandatit të parë, kishte rënë deri në 33 për qind.